Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit

03.06.2020

Me 61 vota për, u zgjodh Qeveria e re e Republikës së Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesën e 61 deputetëve, mbajti seancë të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. 

Me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i dha besimin qeverisë së re me kryeministër Avdullah Hotin.

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, i cili ishte i autorizuar për udhëheqje të kësaj seance nga kryetarja e kuvendit, dr. Vjosa Osmani, i dha fjalën kryetarit të GP të LDK-së, Arben Gashi, i cili fillimisht propozoi një minutë heshtje për dy minatorët që humbën jeten dje në minierën e Kishnicës.

Më pas, kandidati i propozuar për kryeministër nga koalicioni LDK-NISMA-AKK-Lista serbe, Avdullah Hoti, shpalosi para deputetëve ekspozenë programore të qeverisë së propozuar, duke theksuar prioritetet që do të ketë qeveria me të cilën do të udhëheqë. 

Duke falenderuar të gjithë aktorët kyç në luftën kundër pandemisë botërore Covid-19, Hoti u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave nga pandemia dhe potencoi se kjo do të jetë edhe njëra prej çështjeve kryesore me të cilat qeveria do të merret. 

Duke u rikthyer tek pika e rendit të ditës, Hoti falënderoi të gjithë ata që ia kanë dhënë besimin për të formuar Qeverinë e Kosovës dhe këtë e konsideroi si akt të vetëdijës së lartë politike. Kjo qeveri e re, sipas tij, do të ketë vetëm fuqi që buron nga Kushtetuta e Kosovës, duke mbrojtur kështu sovranitetin dhe integritetin e qytetarëve, si njësi këto të pandashme dhe të patjetërsueshme.

Lufta kundër pandemisë Covid-19 dhe rimëkëmbja ekonomike pas kësaj pandemie, u paraqiten si dy prioritetet e mënjëhershme, të institucionit që do të qeverisë me vendin, por pa lënë anash edhe prioritetet e tjera si forcimi i mëtutjeshëm i shtetit, luftimi i dukurive negative, zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, mos lejimi i shkëmbimit të territoreve, puna drejt integrimit evropian, krijimit të atmosferës së bashkëpunimit, respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare etj. 

Po ashtu, ai paraqiti edhe synimet e qeverisë së tij për avancimin e mëtutjeshëm të fushës së shëndetësisë, arsimit, ekonomisë, sigurisë dhe fushave të tjera me ndikim në jetën e qytetarëve. Ai tha gjithashtu se do të jenë mjaft të hapur për të bashkëpunuar me OJQ-të vendore dhe të huaja, asociacionet e bizneseve, shoqërinë civile në përgjithësi, si dhe mediat, të cilat, sipas tij, do të luajnë rol korrigjues në qeverisjen e ardhshme.

Po ashtu, Hoti theksoi se në qeverisjen e tij, interes jetik do të jetë dialogu me Serbinë dhe arritja e marrëveshjes midis dy shteteve, në respektim të kushtetutës. 

Në fund të fjalimit kandidat për kryeministër nga koalicioni LDK-AAK-NISMA-Lista serbe dhe minoritetet e tjera, shpalosi kabinetin e tij qeveritar, në këtë përbërje: 

Avdullah Hoti - Kryeministër
Besnik Tahiri - Zëvendëskryeministër i parë
Driton Selmanaj - Zëvendëskryeministër;
Albulena Balaj-Zëvendëskryeministre
Goran Rakiq - Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal
Hykmete Bajrami – Ministre e Financave;
Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes;
Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
Agim Veliu - Ministër i Punëve të Brendshme;
Arban Abrashi - Ministër i Infrastrukturës
Armend Zemaj - Ministër i Shëndetësisë;
Besian Mustafa – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimti Rural
Meliza Haradinaj - Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Selim Selimi - Ministër i Drejtësisë,
Blerim Kuçi - Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit
Ramë Lika - Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Skender Reçica - Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale
Vesel Krasniqi - Ministër i Tregtisë dhe Industrisë
Dalibor Jevtiq - Ministër për Komunitete dhe Kthim
Enis Kervan - Ministër i Zhvillimit Rajonal.

Seanca, vazhdoi me fjalimet e përfaqësuesve nga grupet parlametare, të cilët paraqiten qëndrimet e tyre në raport me formimin e kësaj qeverie.

Kryetari i GP të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, thirrjen e kësaj seance e konsideroi si tentativë e grabitjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës, andaj iu referua si të padrejtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe formimit të qeverisë së re në këtë mënyrë. Sipas tij, kjo qeveri nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve të Kosovës dhe si e tillë është ilegale, joligjitime dhe shkelëse e Kushtetutës. 

“Vetëm zgjedhjet e parakohshme do të ishin zgjidhja, sepse kështu do të respektohej rendi dhe Kushtetuta”, theksoi Selimi. 

Në anën tjetër, në emër të GP të LDK-së, kryetari Arben Gashi, duke vlerësuar situatën në të cilën ka kaluar Kosova kohëve të fundit, si proces të mundimshëm politik dhe kushtetues, konfirmoi përkrahjen për formimin e qeverisë së re, duke bërë thirrje për qeverisje të mirë dhe të suksesshme. 

Ai theksoi se nuk do të pranohet asnjë lloj arsyetimi nëse s’do të ketë një qeverisje të mirë dhe kërkoi bashkëpunim me të gjithë deputetët e Kuvendit për të proceduar tutje në dialogun me Serbinë.

Nga GP i PDK-së, deputeti Kadri Veseli shfaqi specifika rreth punës, sipas tij, jo të mirë të qeverisë së kaluar, duke e konsideruar një qeverisje të tillë si rrezikuese të egzistencës së Kosovës si shtet. 
Veseli e quajti qeverisjen Kurti si “dëm të pallogaritshëm politik, që i është bërë vendin nga ideologjia antiamerikane’’ dhe njëkohësisht shfaqi mosbesim edhe ndaj qeverisë Hoti, duke deklaruar që si grup parlamentar nuk do ta përkrah.

"Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet", tha ai.

Ndërsa, Teuta Haxhiu tha se GP AAK-PSD do të përkrah formimin e qeverisë së re. Sipas saj, duke e parë më se emergjente nevojën për zhvillim më të madh ekonomik, AAK-ja është bërë pjesë e këtij koalicioni, në të cilin do të bashkëqeverisin, duke e kthyer, sipas saj, vendin në binar. Po ashtu, në pika të shkurtra prezantoi politikat mbi të cilat do të punohet si koalicion dhe u zotua në mbikëqyrje të rreptë të punës së qeverisë.

Formimi i qeverisës së re u përkrah edhe nga GP i Listës serbe. Deputeti Igor Simiq, në fjalimin e tij tregoi mbështetje të plotë për kandidatin për kryeministër dhe kabinetin qeveritar të propozuar.

Po ashtu, nga GP NISMA-AKR, Endrit Shala potencoi përkrahjen e këtij grupi për përbërjen e qeverisë së re. 

“Jemi të bindur që programi qeverisës nga partnerët e koalicionit do të zbatohet me përpikëri”, tha ndër të tjera Shala.

Pas diskutimeve, kryesuesi i seancës, Shala, hodhi në votim përbërjen e propozuar të qeverisë. 

Nga 86 deputetë të pranishëm në sallë, në votim me ngritje dore, 61 prej tyre votuan për, 24 ishin kundër, ndërsa një deputet abstenoi. 

Pas votimit të suksesshëm të qeverisë, kryeministri i zgjedhur Hoti lexoi tekstin e betimit para deputetëve të pranishëm. 

Punimet u mbyllën pas fjalimit të tij falënderues dhe mirënjohës ndaj besimit të deputetëve për të dhe qeverinë që do të drejtojë.